Secondary Adv

Turizmi rrit kërkesën, por jo prodhimin vendas: Importet e ushqimeve shtohen 12.8 për qind

Shqipëria importoi 606.4 mijë tonë produkte ushqimore në janar-korrik 2026, ndërsa prodhimi vendas vijon të mbetet pas kërkesës.

Zgjerimi i turizmit vendas nga deti në mal duhet të sillte ndryshime pozitive edhe në sektorin e bujqësisë, duke krijuar më shumë kërkesë për prodhimin vendas. Megjithatë, të dhënat e INSTAT tregojnë se përfituesit e këtij tregu të madh nuk po rezultojnë fermerët, por importuesit.


Nga janari deri në korrik 2026, Shqipëria importoi 606.4 mijë tonë produkte ushqimore, nga 537.4 mijë tonë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sasia e importuar u zgjerua me rreth 69 mijë tonë, ose 12.8%, sipas të dhënave të tregtisë së jashtme.


Në të njëjtën kohë, numri i turistëve në gjashtëmujorin e parë të këtij viti arriti në 5.1 milionë shtetas të huaj, ose 6.2% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ky numër i lartë konsumatorësh nuk është shoqëruar me shtim të sipërfaqeve të mbjella. Kërkesa e strukturave akomoduese, restoranteve dhe bujtinave po plotësohet edhe me prodhime nga jashtë kufijve, ndërsa produktet vendase përballen me problematikën e çmimeve të larta të frutave dhe perimeve.


Drithërat japin pjesën më të madhe të rritjes së importeve

Peshën kryesore në zgjerimin e importeve të ushqimeve e dhanë drithërat. Në janar-korrik 2026 u importuan rreth 239.3 mijë tonë drithëra, nga 194.4 mijë tonë një vit më parë. Rritja ishte rreth 44.9 mijë tonë, ose 23.1%. Vetëm drithërat përbënin 39.5% të të gjithë sasisë së ushqimeve të importuara dhe rreth 65% të shtesës vjetore.


Përveç grurit dhe misrit, të njëjtën tendencë rritëse ndoqën edhe perimet. Importet e perimeve u shtuan me 4.5 mijë tonë, ose 11.1%, duke arritur në 45.5 mijë tonë, të ndikuara edhe nga përmbytjet që ndodhin përgjatë muajve nëntor-janar. Sasitë e frutave dhe arrave të importuara arritën në 64.7 mijë tonë, me një rritje prej 5.1%, ndërsa importet e mishit dhe të brendshmeve të ngrënshme u rritën me 4.9%, në 28.1 mijë tonë. Rritje të fortë shënuan edhe importet e kafshëve të gjalla, me 19%.


Vetëm gjatë korrikut, grupi “Ushqime, pije dhe duhan” dha një kontribut prej 0.8 pikë përqindjeje në rritjen e importeve totale të vendit.


Prodhimi vendas nuk po ecën me ritmin e turizmit

Rritja e importeve tregon se prodhimi vendas nuk po i përgjigjet në të njëjtën masë kërkesës së tregut. Në vitin 2025, prodhimi vendas i grurit ra me 10.1%, ndërsa prodhimi i patates u ul me 7.2%. Prodhimi i perimeve u rrit vetëm me 1.5%, shumë më pak se rritja prej 11.1% e sasive të importuara gjatë shtatëmujorit 2026.


Të dhënat zyrtare të bujqësisë tregojnë se prodhimi vendas nuk po zgjerohet me të njëjtin ritëm si sektori i turizmit. Kjo reflektohet edhe në interesin e shtuar të tregtarëve për furnizim nga tregjet e huaja, ndërkohë që një pjesë e kësaj kërkese mund t'u drejtohej fermave vendase.


Burimi: Top Channel


Më të lexuarat